
Biznis Forum - "Shndërrimi i qëndrueshmërisë në konkurrueshmëri: Ndërtimi i bizneseve rezistente në një botë të pasigurt".
Eko Fluid, përmes drejtorit të saj ekzekutiv, Besnik Ademi, mori pjesë në punëtorinë e parë "Inovacioni, digjitalizimi dhe investimet e gjelbra për që
Eko Fluid, përmes drejtorit të saj ekzekutiv, Besnik Ademi , mori pjesë në punëtorinë e parë "Inovacioni, digjitalizimi dhe investimet e gjelbra për qëndrueshmëri" , e organizuar në kuadër të Forumit të Biznesit të nivelit të lartë "Shndërrimi i qëndrueshmërisë në konkurrueshmëri: Ndërtimi i bizneseve rezistente në një botë të pasigurt" .
Në fjalën e tij, Ademi theksoi se sot qëndrueshmëria nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një përcaktim strategjik që krijon vlerë afatgjatë dhe avantazh konkurrues.
"Në punën tonë, krahas kornizës ligjore për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, zbatojmë parimet ESG, ekonominë qarkore dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Jo sepse tingëllojnë mirë, por sepse besojmë se kjo është e ardhmja e çdo biznesi të suksesshëm", u shpreh Ademi.
Ai theksoi se, ndonëse Eko Fluid vepron vetëm prej dy vitesh, kompania ka arritur rezultate të rëndësishme. Përmes sistemit të ngritur janë grumbulluar dhe ricikluar mbi 1.300 tonë vajra të përdorur , është ndërtuar një infrastrukturë profesionale në më shumë se 200 servise automobilistike , është krijuar një rrjet me mbi 500 partnerë , si dhe janë organizuar më shumë se 60 aktivitete edukative .
"Megjithatë, nëse më pyesni cili është suksesi ynë më i madh, nuk janë shifrat. Suksesi ynë më i madh është se kemi filluar të ndryshojmë vetëdijen e qytetarëve dhe kompanive për rëndësinë e menaxhimit të duhur të mbetjeve dhe përgjegjësinë e përbashkët ndaj mjedisit jetësor", theksoi Ademi.
Në prezantimin e tij ai u ndal edhe te sfidat me të cilat përballet sistemi i menaxhimit të vajrave të përdorur. Si sfida kryesore ai përmendi informimin e pamjaftueshëm të një pjese të prodhuesve dhe gjeneruesve të mbetjeve për detyrimet e tyre ligjore, mungesën e një platforme të vetme digjitale për regjistrimin dhe evidencën e prodhuesve, konkurrencën e pandershme nga subjektet që nuk i respektojnë detyrimet ligjore, kontrollin e pamjaftueshëm inspektues, si dhe nevojën për koordinim edhe më të madh ndërmjet institucioneve dhe të gjithë pjesëmarrësve në sistem.
Punëtoria iu kushtua rolit të inovacionit, digjitalizimit dhe investimeve të gjelbra në forcimin e qëndrueshmërisë së kompanive përballë sfidave gjithnjë e më të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike. Forumi, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara , kishte për qëllim të nxisë dialogun dhe shkëmbimin e përvojave mbi mënyrën se si qëndrueshmëria mund të shndërrohet në burim të konkurrueshmërisë, veçanërisht për kompanitë maqedonase, eksportuesit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Me pjesëmarrjen e saj në këtë forum, Eko Fluid rikonfirmoi përkushtimin për zhvillimin e një sistemi modern, transparent dhe efikas të menaxhimit të vajrave të përdorur, të bazuar në parimet e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe ekonomisë qarkore.


